Burri me dy gra: Me iken te dyja brenda nates

Një 38 vjeçar ka bërë një denoncim të pazakonshëm në polici. Ai thotë se dy gratë e tij i janë zhdukur.
Sipas Panorama, edhe pse zyrtarisht ai ishte ‘beqar’ në gjendje civile, bashkëjetonte me dy gra, të cilat i janë zhdukur brenda natës. Burime nga policia thanë se Ajet Spahiu, nga Kukësi, me banim në Bathore, mbante në shtëpi dy gra, Lumturie Bicin, 29 vjeç dhe Anila Kolën, 23 vjeç. Të parën, Lumturien, ai e cilësonte si grua, pasi kishin 12 vite bashkë, edhe pse nuk kishin bërë celebrim. Të dytën e kishte marrë pasi Lumturia nuk bënte fëmijë. Por në mëngjes është ngritur dhe nuk ka gjetur asnjërën në shtëpi. Ai është habitur, duke thënë se e priste nga Anila që të largohej, pasi edhe femra të tjera që kishte marrë për grua të dytë ia kishin bërë këtë gjë, por nuk e priste nga Lumturia. Ajeti është njohur me Lumturinë në Kukës, kur ajo ishte 17 vjeç. Ndërkohë Anilën e ka njohur ndërsa ajo punonte si balerinë, kurse Ajeti si truprojë në një lokal.